Çorba e prisht
nga Doruntina Berisha
E marte, natë me gjysmë Hânë. Një tavoline me pluhur, një llampë dhe nje karrigë që levizë n’mes të dhomës; e aty isha ulur unë dhe vetëm vështroja. Ndonjëherë shikoja lartë se mos tavani ku i kam hedhur librat ka filluar t’i lexojë ato e t’ma kalojë me mençuri. Më dukej vetja jashtëmase budallaqe. Isha fiksuar mbas kemishes saten dhe ishte bërë një javë që e mbaja veshur. Një nate më zuri gjumi me të, dhe kisha lëshuar gazra disa herë brenda natës, pasi që çorba që kishte bërë nëna ime më kishte zënë jashtë mase. “Shkërdhatë”, thash me vete, “si mund t’ma bëje këtë”.
Përderisa shaja nënën time, diçka më erdhi në mendje. Isha në mëdyshje a të pastrohesha ose jo. Një mendje tjetër më thoshte që ishte lëvizje prej budallai, kurse tjetra më thoshte “vetem pak, se kjo është një dilemë Shekspiriane”.
Pasi që, tash e një orë, kisha shëtitur vetëm përbrenda banesën sime të çrregulluar jashtë mase, vendosa t’i harxhoja dhe ato 50 dollarë që kisha. Vendosa të blija shumë cigare.
Nuk u pastrova fare. Nuk jam aq budallaqe sa të shpenzoj një bojler ujë vetëm për tu dukur bukur. Unë isha e shëmtuar, ashtu-keshtu. Të paktën kështu më kishte thënë nëna ime në ditëlindjen time të tetëmbëdhjetë.
Që në atë kohë, që i bie të jetë diku para dy vite e gjysmë, kam qenë në dilemë të vdes apo mos të vdes. Ja pra miq, kjo jam une! Jetoje ne dilemë.
Mendohem a të pi një gotë ujë apo mos ta pi.
Ndonjëherë zë veten duke bërë gjeste prej të çmendurës para pasqyrës, dhe as që më plasë për demonët që më flasin në vesh. Ç’është e vërteta, dita-ditës jam duke i çmendur edhe ata.
Një dite nëna më kishte vizituar dhe më kishte sharë aq rëndë saqë unë ia plasa të qeshurës: E kisha imagjinuar time më duke bërë seks me vetëveten, dhe duke lëshuar ofshamat prej mamaje të vjetër të cilës iu kishte varur vagina.
Ia përplasa deren në fytyre asaj shkerdhate, dhe vazhdova ndejen time. Nuk e di pse më viziton akoma, atë çorbën që ma kishte sjellur vetëm dëm më kishte bërë.
Nuk jam mësuar unë të ha ushqim të nënës. Nuk haja, thënë drejtën, gati kurrë; nuk e di se si jam duke mbijetuar. Pata lexuar një herë se budallai jeton më gjate, sepse nuk e lodhë fortë kokën me gjëra të rëndësishme. Me siguri këtë do ta ketë shkruar ndonjë budalla si puna ime.
Në atë moment më pihej fortë një cigare, dhe përsëri gjendesha para dilemave: ta pija apo mos ta pija.
Godas veten në kokë dhe filloj të qeshi si e patrú.
Thënë të drejtën edhe pse isha e shëmtuar sa nuk ka më, e doja veten. Më kujtohet e vetmja thënie që gjyshi ma pat thëne një herë derisa unë isha duke rregulluar flokët për të dalur me veten time (pse, me kë tjetër menduat?):
“Kur i hyri vetja në qef, kaloi lumin dhe u mbyt në përrua”. E dija unë që gjyshi nuk ishte aq i mençur për të folur gjëra të mëdha, dhe andaj nuk ja kisha varur. Unë tani, sipas gjyshit tim, jam mbytur në perrua, dhe atij i behet qejfi.
Për gjyshen nuk do doja të flisja ndonjë marrëzi. I kujtoj pesë dollarët që kishte nxjerrur nga gjinjet e saj të lëshuar e mi kishte dhënë për atë ditë shkolle. Dhe duke mbyllur derën më kishte dhënë një shkelm në bithë saqë më kishte bërë mavi një pjesë të saj. Gjithësesi, ja di për nderë.
Edhepse tani është duke ngrënë dhé, nuk do ja rekomandoja ta tepronte. E kisha parë në ënderr një nate, më kerkonte ndihmë, por isha aq rehat saqë edhe po të më vriste ndokush nuk do kisha lëvizur.
Tani kam veshur një pale xhinse të shkurta. Kam ca lesh në këmbë, por më shumë në ndërsjetulla. Prisni të shikoj… uh, më mirë të mos ju tregoj! Por, ju premtoj që muajin e ardhshëm do të pastrohem dhe do i heki ca qime aty-ketu.
Deri at’here shihemi dikund në lagjet e qytezës. Ju puth, vetëm nëse keni dëshire.
Doruntina Berisha
Aktualisht studion arkitekturë,
Dhe ka pasion artin,
Te gjitha llojet.