Pasthirrma moderne
nga Antigonë Isufi
I
E ulur në karrigen e moçme shekullore, kupa me verë po m’i mbush alveolet me gjak. Unë po ngulfatem, e pasthirrmat jashtë mode po shoqërojnë melodikën e gramafonit antik.
Nga kati përdhesë dëgjohen pallavra mashkullore. Po flasin për “epërsinë” e tyre ndaj botës.
Disa burra flasin, se nuk dinë se ç’flasin. Mendojnë që bota përbëhet nga energjia testosteroniane. Ca flasin për superioritetin e tyre ndaj grave, e ca për politikën bolshevike.
Po mos të më rrëzohej kupa, me siguri do ia dërgoja ca gota me verë. Të paktën të flasin gjepura si të pirë, se esëll nuk durohen dot.
II
Shkallët deri tek banesa e tyre, m’u dukën përjetësi. Krismat e takave ma turbullonin lukthin e mbushur me alkool. U lëshova atje poshtë, ku më pas nuk do ngjitem dot.
Shkallëve tatëpjetë dihatjet u ndalën, por mua m’u shtua dëshira që ata njerëz mos t’i shoh të dalin të gjallë nga aty.
Do e marr shtruar.
Takat më ishin shuar. Me njërën dorë kisha kapur menteshën e derës prej nga jehonin pasthirrmat, e me tjetrën mbaja kupën boshe. S’i dua armët, por kupën e mbaja të kungoja në “darkën e fundit”. T’i heshtja 12 apostujt.
III
Se ndoshta harrova të prezantohem. Jam Mara e pa mbiemër, kryefjalë e Minskut bjellorus. Shpesh më dëgjohen tak-tuket e takave rrugës, por më shpesh i dëgjoj pasthirrmat kat-kat mbi atë përdhesë, në apartamentin numër dy. Kati poshtë më lë pa jetë bashkëshortore, e kati lartë më bënë të mendoj që ende ka dyzim jetësh e duhet të i dhuroj botës përsëri një fryt të ri. Zhurma e fëmijëve trazon katet e qiellin njëherazi. Por, mua kjo nuk më pengon fare, përkundrazi më jep jetë.
Është e treqind e gjashtëdhjetë e pesta ditë prej që banoj në apartamentin në fjalë dhe e treqind e gjashtëdhjetë e katërta prej kur “të shenjtëruarit” e darkës së fundit tetë minuta para mesnatës bordelizojnë mashkullorisht. Nuk ndalen me shkarje deri një çerek para orës pesë të mëngjesit. Të ulur në tavolinën ovale me orë të tëra kjo “shoqëri e fshehur” ta çanë kokën me biseda që fyejnë inteligjencën.
Të dymbëdhjetit sot ma mësuan një mësim jetësor: Pas treqind e gjashtëdhjetë e katër ditëve e kuptova fantazinë djallëzore të disa burrave, pa qenë nën shtresën e dytë të lëkurës së tyre. I dëgjoja kur llomotisnin dhe në intervalet e heshtjes e “rrëzoja kupën”.
IV
Tre prej 12 hajvanëve tru-konservë, rreth të katërdhjetave, po grimosin me pështymë muret e ngushta të bodrumit “bordello”. Një dhomë e ngushtë ngulfatëse, e kapluar nga myku dhe aroma e puros meksikane, e mbushur me postera pornografik, e me drita të zbehta. E nëntë të tjerët po shijonin me kërshëri dogmat e shokëve të tyre që dilnin të pështirë para pështymosjes, të përcjellura me pasthirrma klithëse.
“Hahahah, veç paramendoni miq”, thoshte Pjetri nën erozionin e pasthirrmave, “të lidhësh me zinxhirë gruan në dhomën e fjetjes, e në dhomën e ndjenjës të dëgjosh shpërthekimet e dhjetë zinxhirëve të fustaneve të 15 vjeçareve. I mbajta me zor për pesë ditë radhazi, e sot më janë shndërruar në robëresha të kënaqësisë. Kërkojnë ditën e gjashtë të shijojnë qiellin e shtatë.”
“Mik, nuk po na e sjell gruan ta mësojmë pak të bëhet 15 vjeçare”, iu kthye rrufeshëm Paskali. “Ku ta di, ndoshta i pëlqen të rrethohet me njëmbëdhjetë zinxhirë të rinj”.
Me të qeshura miratuese klithin dhjetë djajtë e tjerë. Ia kishte ënda të gjithëve të shpërthekonin patentët nën të cilët fshiheshin burra të pa burrëri.
Do i djegi.
Por nuk lëviza. Ruajta qetësinë edhe pse e pirë. Prisja momentin. Për 12 vite kisha jetuar si jobesimtare, por në atë moment isha në gjendje të shndërrohesha në motër nderi vetëm që të lutem për pak durim. Mornicat më ishin ngritur, nuk qëndroja dot si guri poshtë livadhit. Përderisa në mendjet e tyre boshe kalëronin fantazi dhunuese e poshtëruese, brenda qenies time kalëronin dëshira vrasjeje.
Energji vrastare brenda unit të një paqeruajtëseje…
V
Ora dy e pesëmbëdhjetë minuta. Dora ime akoma mbante shtrënguar mënteshen, ndërsa po e përkëdheli me fytyrë derën e jashtme të atij apartamenti, e po i shurdhoj veshët me pallitje. Kam plan. Nuk dua ta shpalos. Prisni, se ka diçka të pashkruar. Akoma nuk ju kam treguar të gjitha. E di, shpesh harroj t’ju përmendi detaje kyçe.
Dera e mbyllur hermetikisht më parandalon të hyjë brenda, por më shumë më parandalojnë aftësitë e mija.
Ata vazhdojnë të pëllasin e shkumojnë ma shumë se lopët.
Me çdo fund fjale të tyre, e me secilin fund sekonde po më ndizet dëshira dostojevskiane — krim e ndëshkim. Raskolnikovi vrau për të dominuar, e unë do të vras për të mbijetuar. Bota i duron por toka nuk i mban dot faqezinjtë. Krim pa ndëshkim.
“Ka ditë që mendoj ta zhvirgjërojë katin më lartë”, tha Stefani. “Kam parë një ditë atë zogzën, flokë-gështenjë e cila ishte ankuar për ne në komisariat. Nuk kam çare pa ia djegë lëkurën me cigare, edhe po të vdeksha sonte. Po vdes të ia dhunoj edhe syrin e zi. E nëse më ndihmoni edhe ju, nuk është që nuk do iu qerasja me nga një birrë”.
“Ahh atë, por si jo more mik”, iu kthye Pjetri. “Do e veshja duke e zhveshur. Mëkat më qoftë jeta nëse nuk do e mbysja brenda orës me fuqinë time shtazarake. A e ke parë si ecën rrugës sikur bota është e saja; e ajo është e imja. Ato këmbët e gjata nuk ia fali Krishti kot: vetëm për të ia thyer unë me afsh”.
“Jo, Pjetër, jo. Rri ti edhe ca ditë kruaja shpinën 15 vjeçareve. Zonjat e pjekura lërmëni mua. Ti e di që adhuroj të godas kockat e zonjave të rënda. Se asaj nuk ia shpërthekoj zinxhirin, jo. Asaj, mik, do ia pushtoj trupin me grushta.”
Sadistë të fëlliqur. As mbi trupin tim të vdekur. As mbi kockat e mija të thara, e as mbi sekondat e ndalura në neuronet e mija. Shpërthekova zinxhirin e takave të mija, hapa derën lehtë-lehtë dhe u futa brenda dhomës e cila të qelbte erë birre përzier me cigare. Në dorë kisha kupën e në tjetrën dorë vetëm gishtërinjtë.
Pasiqë hyra në apartament, kalova paradhomën e cila shpinte tek ta…
VI
Mu duk si vegim. I hapa sytë dhe pashë veten brenda një dhome.
Këmbët nuk i ndjeja. Sytë më ishin mbushur lot, e zemra më rrihte fort. Nuk ndjeja asgjë përpos lotëve të nxehtë tek rrjedhin në lugun e faqeve të mija. E vetme në një dhomë të rrethuar me mure të bardha dhe me një dritare miniaturë. Tavani i dhomës ngjyrë gri ma përdhunoi kujtesën.
Nuk dëgjoja hapa as zëra. Fyti më ishte kallur nga etja.
Kush jam? Ku jam? Pse jam? Kur jam?
Britja por nuk dëgjohesha dot. Zëri më ishte mekur në fyt. Pashë gishtat e këmbëve të mija që ishin mbushur të dhjetit me kapëse për tharjen e rrobave. Shikova anash dhe syri më kapi një mbishkrim në derë “Псіхіятрычны цэнтр-Брэст ”. Qendra Psikiatrike në Brest?
“Ku jaaaam? Ju lutem! Ju lutem një pikë ujë! Nuk ndjej frymëmarrjen. Më janë prerë këmbët”, brita me aq zë sa më kishte mbetur.
Për një moment mendova se kam vdekur dhe për momentin po gjendesha në botën e tejpërtejme të cilën nuk e besoja që ekzistonte. A thua vallë çfarë kam bërë që gjendem këtu? A është ky ferri, purgatori, apo parajsa e Dante Aligerit? Apo mos më ka humbur spiranca e jam zhdukur në horizont? Pse jam? Kush jam? Dua të dal. Pse i kam duart e lidhura?
“Ndihmëëë! Ju lutem më nxjerrni nga këtu”, iu drejtova dhomës së mbushur me vakuum.
Nuk më kujtohej e sotmja. Nuk më kujtohej e djeshmja.
Vegim…
Antigonë Isufi aktualisht është studente e vitit të tretë në Departamentin e Gazetarisë në Universitetin e Prishtinës. Ka një vit e gjysmë që punon si gazetare në BIRN Kosova. Antigona merret me shkrime nga fusha e letërsisë që nga mosha 11 vjeçare.
waw