pjerrëtas
nga artan islamaj
Shoh vetëm zi. Nganjëherë më shfaqen disa pjesë me ngyrë, njolla lëvizëse të dritës, forma gjeometrike, shkëlqime të bardha, që i kundërshtojnë humnerës. Janë pjesë sistemi të një kaleidoskopi — dua ti përshkruaj si fantazma ose pseudo-halucinacione. Por më duhet të them që këto grimca janë prezente në pjesën e brendshme të syrit tim. Deri para disa sekondash, e vetmja gjë që kisha parë ishte një dritë neoni. Pjesa përbërëse e dritës ishte shumëngjyrëshe, mirëpo kombinimin e këtyre elementeve unë e ndieja si një bardhësi artificiale të fuqishme. Trupi, mendja, apo sytë e mi sikur aktivizuan një mekanizëm tim mbrojtës. Sytë mu mbyllën — ishte e vetmja gjë, që munda të bëj.
Pozicioni im në dhomë është i veçantë. Ambienti është mbizotrueshmërisht steril dhe i konstruktuar në nuanca të lehta. Nga ana tjetër, unë jam i veshur i tëri në zi. Përveç këpucave të bardha, pantollonat dhe këmisha kanë ngjyra të mbyllura. Idiosynkriteti i trupit tim është i dramatizuar: jam i shtrirë në një divan futuristik, por njëkohësisht ndihem parehatshëm. Përse? Jam në një pozicion që nuk është i natyrshëm. Asnjë njeri nuk mund të qëndrojë në një gjendje të tillë pa mjete ndihmëse. I vetmi krahasim i përafërt është si të qëndruarit në duar. Koka ime gjendet disa centimetra mbi tokë, ndërsa këmbët më rrinë sipër. Është goxha vështirë të gjykoj nëse janë duke levituar apo janë të fiksuara në fundin e pseudo-divanit, i cili është i përbërë nga një lloj litari, rripi, ose ndonjë kombinim i penjëve. Sa më gjatë që qëndroj, aq më vështirë, më zor, është. Presioni në kokën time është duke u ngritur; gjaku nuk më qarkullon siq duhet — trupi i njeriut nuk është i ndërtuar të funksionojë në mënyrë të tillë. Por, ende është në rregull, ende mund ta duroj shtypjen. Është një shtypje në nivel trupor: shtypje në ekstremitetet e mia, dhe shtypje në trurin tim. Në të vërtetë, më duket që dalë-ngadalë, sa më shumë që mendohem se çfarë forcash janë duke ndikuar në organizmin tim, ato sa vijnë e bëhen më të mprehta e më të fuqishme.
Tani i hapi sytë, në një lëvizje të ngadalshëm. Dua ta di, së çfarë është duke ndodhur? Kush, çka, është arsyeja apo shkaku për status quo-në time; për emocionet, që po i ndjej? Gjithësesi, një lloj frike është prezente. Me sytë mbyllur sikur gënjej veten se jam unë ai që është në kontrollë. Është qesharake, sepse nuk mund të lëvizi dot. Prej asnjerës perspektivë nuk gjindem në pozicion dominant, në pozicion kontrollues.
Drita e bardhë, ajo e fundit që e kisha parë, nisë rrugën drejtë retinës sime. Humnera ja lejon dritës të hyjë — nuk di a është aq harmonike si e përshkrova më parë, apo është një proces shumë më brutal. Prapë, e para gjë është drita, është bardhësia omniprezente — deri në këtë moment nuk dominonte bardhësia. Nuk më bën të ndihem ngrohtë. Fare? Kjo veti që ne e lidhim me dritën, tani sikur ishte e shkëputur. Nuk është diçka që më jep siguri, që më nxjerr prej kësaj gjendjeje mentale. Më duhet ndihmë, për të më nxjerrë nga këto mendime që vijnë si rezultat i fobisë, frikës, rrezikut, dhe pasigurisë. Ah drita, kjo fajtore që më futi në errësirë, tani prapë më dëshpëron. Ky trend vazhdon. Sa më shumë që ambienti rreth meje kthjellohet, drita bëhet edhe më e qartë — në të njëjtën kohë situata dhe përshtypjet që i përjetoj janë dërrmuese. Një ndjenjë klaustrofobie është duke u përhapur në trupin tim. I gjithë ambienti sikur shembet mbi mua duke më mbërthyer. Ç’është reale, ç’është surreale dhe çka e imagjinuar — apo të gjitha janë produkt i mendjes sime?
Bardhësia e dritës vazhdon edhe në pjesët tjera të dhomës. Pllakat në tokë, të cilat i shoh vetëm kur e kthej kokën anash — edhe atëherë vetëm me bisht të syrit. Mu në këtë moment, dy silueta të errëta më afrohen. Të dyja vinë nga anët e kundërta të kokës sime dhe qëndrojnë për një moment afër krahëve të mi. Janë duke bërë shamatë e zhurmë në një frekuencë të huaj, që nuk e kuptoj. Paverësisht sado që përqendrohem, prapë-se-prapë dëgjoj vetëm një lloj ndotjë akustike. Këto zëra të panjohur i shoqëron një gjë tjetër: një këmbim metalik. Besoj që ky zë prodhohet kur këto dy silueta navigojnë. Jam i sigurtë, që ky zë nuk është një singularitet, një agjent i vetëm, por vjen së paku dyanësh. Prapë jam veçse më konfuz dhe vazhdoj të qëndroj në pozicionin tim — sinqerishtë nuk di se si të reagoj në këtë situacion.
Por, nuk më mbetet gjatë, se menjëherë pas kësaj, nga të dy anët e ndjejë prezencën e tyre. Në pika të dy shpatullave të mia fokusohet nga një presion — nuk është i fortë e as i lehtë, nuk është as i ftohtë as i ngrohtë. Të dy pikat më prekin përmes të njejtës formë. Dhe në të njejtën kohë e shkëputin presionin nga krahet, dhe vazhdojnë poshtë duarve. E kuptoj sikur një prekje me gishta por nuk mundem ta përcaktoj me siguri. Dhe tani largohen pikat prekëse. Por ato lënë gjurmë prapa. Dhe prapë është një farë peshe që e ndjej — ashtu sikur pesha e llakut të sapoterur në thonjë — e gjithpanishme, e rëndë, jo komode. Më duket sikur çdo pikë të trupit tim që preket nga gishtat e tyre fillon të transformohet në momentin e ndikimit tek lëkura ime — duke ndryshuar nga lëkura ku ende nuk më kanë prekur. Dua ta kem mundësinë të luaj kokën dhe të shikoj në mos është diçka edhe vizuale, ndoshta kjo do të më ndihmonte të kategorizoja se çfarë është duke ndodhur këtu.
Ngadalë e ngrej kokën. As dy centimetra nuk kishte lëvizur dhe me fuqi koka më kthehet prapë poshtë. Ne brendësinë time një kaos i emocioneve paraqitet. Çka po ndodhë? Çka po ndodhë? Pse unë? Nga gjithkush në botë, pse unë? Dua të dal nga kjo situatë, do bëj çkado që duhet. Si është e mundur që një forcë e tillë të më ketë nën kontrollë. Dua të qaj, dua të bërtas, dua të rezistoj. E vetjma gjë që mund të bëj është një frymëmarrje dëshpërimi. A është ky fundi?
Prapë po më behët zi, por kësaj radhe nuk ështe për shkak të dritës, e cila ështe ende duke më qorruar, por nga e majta dhe nga e djatha dy hije po më afrohen dhe po zmadhohen. Mundohem ti shoh në detaj, mirëpo prapë pozicioni im nuk më lejon. Të dy hijet qëndrojnë në nivel horizontal drejt veshëve të mi. E ndjej vetëm prezencën e tyre — asgjë tjetër. Hija e djathë merrë një hap përpara. Ështe hera e parë që shoh diçka. Është një figurë e jashtëzakonshme — sytë e saj nuk janë proporcionale — janë shumë më të mëdha sesa koka e saj. Më duken si lloj syzesh, të cilat ndihmojnë të shtremojnë paraqitjen e saj. Por nuk shoh shumë përveç syve. Kjo përputhet me associacionin tim ndaj hijes: dy orba të zinj më shikojnë. Nuk mundem të identifikoj asnjë bebëz të syrit. Aq e fortë dhe intenzive është ngjyra e mbyllur saqë e shoh një siluetë të njohur — është refklektimi im!
_______
Prapë një kollazh i ngjyrave — humnera duke u rikthyer me shpejtësi. Dhe prapë, shoh vetëm zi.
[ . . . ]
artan islamaj — shtetas i kosovës dhe zvicrës, si në letër ashtu edhe në zemër — është duke përfunduar studimet master në letërsi angleze dhe studime gjinore në universitetin së cyrihut. gjithashtu ai është bashkë-themelues i zinës zwischentext, të bazuar në cyrih.