Nonfiction, Personal Essay

Xeni, Irvini dhe Schopenhaueri

nga Malisa Zymberi

Isha n’autobus për në qytetin e Gjakovës, qytet ky 122 kilometra nga vendlindja ime — “Dy polet më t’largëta t’Kosovës” ia dha pak Babi. Kisha vendosë t’a pranoj nji punë kaq largë, vetem t’i jepja sado pak ndjesi jetës — çâshtje qefi. Gjithmonë m’pëlqente të ikja prej rutinës, njerëzve dhe prejardhjes time. E kisha të domosdoshme, shpesh dhe me urgjencë. Strehim në vendet ku sigurohesha që s’do e njoh askënd; e qytetetet s’do të dinin për ekzistencën time.

Përderisa autobusi kishte marrë rrugë, kânga “Rrobi plaket kur dojë vetë” nga zani i lartëmadhërisë  Xeni ish’ tu shku’ në radio, ku kjo e fundit e rritke dhe mâ shumë irritimin ndaj kujtesës së dobët që kisha. Kufjet për muzikë edhe kësaj here mu ishin tret’ diku ku truni as nuk mund t’a imagjinonte, e nevoja për to në këtë moment ishte e njejtë sa edhe ajo e frymëmarrjes. 

Në krejt këtë tragji-komedi, nuk është që s’e dija se në çantën e madhe me tesha që kisha marrë prej shtëpisë së prindërve fshihej libri që po i ikja me javë të tëra. Libër ky që kishte bërë mâ shumë kilometra se sa Opel Astra ’99 e babit tim. Më ironikja, libri ishte dhuratë për ditëlindje nga shoqja ime e zemrës, si mesazh që transmetonte një kërkesë të vetme — përballjen!  

E nxorra librin nga çanta, e mblodha vetën dhe vendosa t’a lexoj njiher’ e mirë. 

Çdo frymemarrje e jona largon tutje vdekjen që vazhdimisht na kanoset”, shkruan Irvin Yalom në paragrafin hyrës të librit ‘Kura e Shopenhauer, “... në fund vdekja duhet të triumfojë, pasi që në lindje bëhet fati ynë dhe luan me prenë e saj vetëm për pak kohë përpara se ta gllabërojë.” 

Morra frymë thell’ me hundë dhe e lëshova lehtë nga goja. As zâni tundues i Xeni-t, e as muhabetet e zhurmshme koti, nuk kishin më fuqi t’a ngacmonin ndonji shqisë që t’më bënte bile pak esëll prej këtij paragrafi. Irvini — ishte autori i vetëm që në secilin libër të tij kish’ sfidu mâ të madhin ankth në jetë që kisha: VDEKJËN. “Kura e Schopenhauer” ishte libri i katërt i tij që po e lexoja, mirëpo asnjëri libër tjetër nuk i del përballë të vërtetës së vdekjës kaq direkt sa ky:  

“E megjithatë ne vazhdojmë të jetojmë sa më gjatë të jetë e mundur me interes të madh dhe shumë përkujdesje ashtu sikurse fryjmë një fluskë sapuni sa më gjatë që të jetë e mundur, megjithëse e dimë me siguri absolute që do të pëlcasë”.

E mbylla librin për pak minuta dhe fillova t’i kacavirrem secilit kujtim që mendoja që kish’ kontribu në krijimin e këtij ankthi. Terapistja ime e asaj kohe thoshte që janë manifestime të traumave nga periudha e luftës, apo siç njihet në termet psikologjike, PTSD. Prindërit e mi ishin të sigurtë që vinte nga përjetimi i tërmetit që kishte ndodhur në qytetin tim kur isha veç 10 vjeç. Ndërsa unë, pavarësisht që kisha studiuar psikologji për tre vite, e kisha vizituar terapistë të ndryshëm… isha ende pa përgjigjie!

Qytete të ndryshëm nëpër t’cilët isha strukë ndër vite nuk m’kishin ndihmu me i ikë këtij ankthi; por t’i fshihem, po. Me të isha ballafaquar në qytete ku kilometra t’pakët e ndanin kufirin prej flakëve të luftës. Ishte prezent përkundër rehatisë në errësirën e pafundme skandinave. Nuk i ikja dot as pas zhytjes në vendet ku mitet dhe zotrat vazhdonin të udhëheqnin qenien. Uria të njoftoj njerëz të rinj m’ndihmonte t’a harroja, por asnjherë t’a zhdukja. Përplasjet plot pasion me trupa të ndryshëm në përjetim të së përtejshmës, gjatë kthimit mbrapa, shpesh e rritke edhe më shumë ankthin. 

Autobusi po ecte diku 80 kilometra në orë, ndërsa unë po përjetoja nji luftë të shumëfishtë: Xenin, kujtesën e dobët, ankthin nga vdekja, përballjen me Irvinin, këshillat nga terapistja ime, komentet epike të prindërve… the whole package! T’kisha ardhë veç gjysëm ore më vonë, sigurisht që do merrja autobus tjetër, do kishte muzikë më të mirë, vuajtja për kufje s’do e trazonte egzistencën time, libri do vazhdonte rrugëtimin nëpër çanta e rafte të ndryshme, terapistja ime do mbetej nji amerikane e lezetshme, ndërsa fiolozofia e vdekjes as s’do të bëhej fjalë t’a përkdhelte qenien time! Por tash ishim këtu, në hymje të stacionit të autobusëve… Kisha vetëm nji zgjidhje: vakumimin e këtij ankthi të mallkuar ta përmbysja me rradhë të gotave të rakisë së rrushit përgjatë netëve të gjata nëpër qoshet e Çarshisë së Vjetër.

Malisa Zymberi ka përfunduar studimet në psikologji dhe punon si psikologe për refugjatë dhe azil kërkues në Kosovë. Me shkru për ndjenjat, përjetimet dhe ngjarjet — Malisa e sheh si armën mâ të fuqishme në procesimin e tyre.