Poetry

Po lahem në detin e nënës

nga Arbër Selmani

Po lahem në detin e nënës
Këtu fle bekimi
Këtu notojnë krejt patat e rosat më të kthjellëta
Më të pashmet në horizont
Këtu ujis trupin tim
Këtu ku ka iguana, plot nëna, plot ujë shërues.

Nëna s’e ka ndërtu vet’ këtë det,
Këtë gejzer 
E unë s’jam i vetmi lundërtar
Nana i ka ba vend krejt fëmijëve të botës
Janë thirrë, janë lajmëru flokëkuqet dhe djemtë me mollëza. 

Po lahem në detin e nënës
Këtu notojnë delfinët, balenat që vetë janë nëna
Nëpër dheun poshtë, guacat me ngjyra ylberi
Këtu, flladis shpirtin që ma dha ajo. 

Ujin e sollën nga pak të gjitha nënat e kësaj bote,
Një kove me ujë secila,
Nënat e gjalla, të vdekurat, nënat në karroca invalidësh, 
Nënat rome, nënat e zeza, nënat me fëmijë që u vdiqën në lindje, nënat që nëna nuk u bënë kurrë
Nënat që u vranë në luftë, nënat të cilave në luftë ua vranë të vegjëlit,

Detit ia dha shtratin ajo, nëna ime, mbretëresha.

Po lahem në detin e nënës,
Kilometra e kilometra i gjerë, i gjatë, i thellë e bukur i ftohtë ky det,
Afër nënave, ne fëmijët notojmë gati në përqafim
Unë jam ylli me penda të kaltra, motra ime është gaforre përherë e dielluar
Jetimi afër nesh përpëlitet sikur një kastravec deti, 
Shoqja e tij është perime jeshile rrethuar me alga, 
Fëmijët e vdekur këtu frymojnë, kanë ngjyrë argjendi dhe shkëlqejnë
Vogëlushja e verbër, këtu është një kafshë detare me dy sy e një zemër
Djali në karrocë, një krokodil i kriposur me dy duar e dy këmbë të lëvizshme.
 
Po lahem në detin e nënës,
Buzëqeshim të gjithë, bile edhe breshkat janë sikur të mbytura në gëzim, 
Me duar, me këmbë, rrokullisemi në këtë hapësirë të kaltër 
Nënat e mira janë këtu, kjo është jeta
Kush ka vdekur atje, këtu është gjallë dhe hidhet nga anija
Po derdhen mbi ne oqeanet më hyjnore, digat më të mprehta
Rrugës janë edhe nënat tjera
Miliona nëna e fëmijë po vijnë, po shërohemi. 

Po lahem në detin e nënës
Larg kriminelëve, larg burrave që dëmtojnë, larg krijesave që pickojnë, 
Vëllau im është një gjarpër prej ulliri, i gjelbërt 
Një nënë e shoh tek shndërrohet në pinguine shumëngjyrëshe
Shoqja e saj është një peshk me shtyllën kurrizore të ngjyrosur në vjollcë.

Po lahem në detin e nënës
Po lahem në detin e mirësisë, në detin e fatmirësisë, në detin ku qulliten e zhduken dhimbjet, 
Po lahem mes peshkaqenëve, zebrave tropikale, pelikanëve që bëjnë muzikë si me kitarë
Në një moment jam koral,  në tjetrin bëhem kurorë 
Po lahem në detin e nënës, mes bimëve, mes instiktit amësorë. 

Po lahem në detin e nënës,
Po lahem sikur të jetë e fundit larje, e fundit zhytje, e fundit ditë e jetës sime, 
Po lahem në detin e nënës, 
Po lahem, në të Diellit agime e perëndime. 

Arbër Selmani është gazetar i kulturës dhe shkrimtar. Ka prapavijë në shoqëri civile dhe momentalisht punon për Fondacionin Kosovar për Shoqëri Civile. Në vitin 2018 ishte një prej bursistëve të Bursës Sakharov e cila ndahet nga Parlamenti Evropian për aktivistë të të drejtave të njeriut nga mbarë bota. Ka marrë pjesë në festivale të letërsisë dhe rezidenca si Polip, Literodrom, Bienalja XV e Artistëve të Rinj të Mesdheut, Krokodil, Letërsia Lëvizëse, dhe deri tash ka botuar librat “Pse hidhërohet gjyshi” (2005), “Kosova në 14 tregime kulturore, 1” (2019) dhe “Kosova në 14 tregime kulturore, 2” (2021). Shkrimet e tij letrare janë përkthyer në anglisht, turqisht, italisht, sllovenisht, dhe serbokroatisht.