Territori i NSK-së në Prishtinë
Projekt i IRWIN në On Top Residency
nga Artrit Bytyçi
Kolektivi slloven i artit IRWIN dhe Instituti Epifani nga Prishtina njoftojnë për projektin e tyre të përbashkët të titulluar ‘NSK Territory Prishtina’ (Territori i NSK-së në Prishtinë), në lokacionin e On Top Residency, që do të fillojë më 19 korrik 2022 në ora 18:00.
Më këtë datë, në lokacionin e On Top Residency, duke ngritur flamurin e NSK-së, një parcelë e vogël toke do të shpallet “shtet i pavarur” nga IRWIN, një praktikë e tyre kjo që vazhdon në traditën e eksplorimeve të mëparshme artistike të grupit mbi temat që kanë të bëjnë me shtetin, institucionet, dhe simbolet e tyre.
Grupi IRWIN është themeluar më 1983 nga artistët Dushan Mandiq, Miran Mohar, Andrej Savski, Roman Uranjek, and Borut Vogelnik. IRWIN gjithashtu janë bashkëthemelues të Neue Slowenische Kunst, një kolektiv i artit politik me vepra si ‘NSK State in Time’ (Shteti i NSK-së në Kohë), që shqyrton dhe sfidon idenë e asaj se çfarë do të thotë shtet sovran.
Sipas IRWIN, Shteti NSK “nuk ekziston në hapësirë, por në kohë” dhe çdo vend mund të bëhet pjesë e tij “në rrethana të caktuara dhe për një periudhë të caktuar kohore”. Meqenëse shteti i NSK-së përbëhet nga të gjitha aktivitetet e qytetarëve të tij, dhe duke qenë se qytetarët e tij janë të shpërndarë në të gjithë botën, me të drejtë mund të pretendohet se “NSK është një shtet global”.
Kjo ilustrohet nga projektet e ndryshme të IRWIN, si Ambasada e NSK-së në Moskë, Pasaporta e NSK-së, Zyra postare e NSK-së, Garda e NSK-së, e gjerë tek Pavijoni Shtetëror i NSK-së në Bienalen e Venecias 2017. “Të gjitha këto projekte kanë prejardhje dhe realizime të ndryshme konceptuale”, thonë IRWIN, “por ndajnë një tipar të përbashkët: çdonjëri prej projekteve merr institucione ose objekte të përditshme si pika referimi dhe i bën ato institucione ose objekte të NSK-së”.
E njëjta gjë vlen edhe për bashkëpunimin aktual të IRWIN me On Top Residency të Fatmir Mustafa Karllo-s, projekt qëi në vetvete pasqyron disa aspekte të shtetit. Projekti vë në përdorim një pronë publike të pashfrytëzuar në periferi të Prishtinës, konkretisht një kodër në Butoc, përgjatë rrugës së Kavajës. Vendi shenjëzohet nga mielli i bardhë—që shërben si një lloj kufiri—duke e shndërruar hapësirën në një galeri “të jashtme”.
Një nga arsyet pse Mustafa-Karllo zgjodhi këtë tokë për iniciativën e tij artistike është vendi piktoresk me një pamje të mrekullueshme të Prishtinës, veçanërisht gjatë perëndimit të diellit.
“Fatkeqësisht,” thotë Mustafa-Karllo, “kjo e bën atë gjithashtu një vend të ideal për ngritjen e ndërtesave të apartamenteve apo vilave luksoze. Një lëvizje e tillë do të shkatërronte dhe mohonte në radhë të parë natyrën shumë të bukur.”
“Duhet të punojmë vazhdimisht drejt vetëdijësimit kundër komercializimit të hapësirave publike”, thotë Mustafa-Karllo. Sipas tij, ndërtimi i këtyre ndërtesave mund të jetë i pashmangshëm dhe “do të kufizonte çasjen e shumicës së njerëzve në këto pamje dhe këtë natyrë”. Dhe kështu, qëllimi kryesor i projektit On Top Residency është “ruajtja, promovimi, dhe përdorimi i hapësirave publike dhe natyrës” përmes aktiviteteve artistike dhe kulturore.
Përvetësimi në emër të artit rezulton të ketë disa përfitime për komunitetin — edhe kjo një veçori tjetër që përbën konceptin e mjegullt të shtetit. “Sipas konceptit tim fillestar”, thotë Mustafa-Karllo, “kjo hapësirë e hapur do të vazhdojë të funksionojë si një galeri e hapur, ku në të ardhmen do të ftohen artistë të ndryshëm me projekte specifike për këtë hapsirë, për të krijuar dhe ekspozuar vepra që kanë të bëjnë me projektin e On Top Residency.”
Mënyra se si IRWIN përvetëson objektet dhe institucionet ekzistuese është e ngjashme me konceptin ‘readymade’ dhe, në fakt, mund t’u aplikohet rasteve të ndryshme. Megjithatë, IRWIN janë shumë të kujdesshëm dhe praktikojnë një proces rigoroz përzgjedhjeje — ashtu siç rekomandohet edhe në përzgjedhjen e gjësendeve të reja të gatshme (‘readymade’). “[Ne vendosim] për projektet e NSK-së vetëm pas shqyrtimit të kujdesshëm dhe atë jo shumë shpesh”, thonë IRWIN, duke pohuar kështu se ‘Territori i NSK-së në Prishtinë’ padyshim i përket serisë me të gjitha projektet tjera të NSK-së.
Flamuri i NSK-së është përdorur që nga fillimi i projektit ‘NSK State in Time’ (Shteti i NSK-së në kohë) në vitin 1992. Por, në thelb të këtij projekti të tanishëm “nuk është flamuri i NSK-së”, thonë IRWIN, “por përdorimi i këtij flamuri për të përfshirë përkohësisht një pjesë të Kosovës në shtetin e NSK-së”.
NSK-ja mund të mos ketë ende sistemin e saj financiar, ekonominë, apo ligën sportive, por “qytetarët” e saj “megjithatë, mund të pretendojnë se një parcelë toke në një kodër afër Prishtinës”, thonë IRWIN, “përveç që është në Kosovë, është gjithashtu pjesë e shtetit të NSK-së”.